Arturo Vidal nuk i ka përmbushur pritjet e mëdha në Inter dhe duket se do të largohet këtë verë, pas vetëm një viti me zikaltrit.
Trajneri i Interit Antonio Conte bëri gjithçka për ta bindur Vidalin t’i bashkohej atij në Meazza nga Barcelona verën e kaluar, në përpjekje për ta rrëzuar nga froni ish-klubin e vet, Juventus, transmeton Gazeta Express.
Mesfushori 33-vjeçar i ka zhvilluar 23 ndeshje në Serie A këtë sezon, duke e shënuar vetëm një gol, por në javët e fundit vendin e tij në ekipin e parë e zuri Christian Eriksen.
Sipas mediave italiane, Interi është i gatshëm ta lërë të largohet ish-yllin e Juventusit dhe Bayern Munich pas vetëm një sezoni.
Ndër arsyet kryesore, përveç zhgënjimit të tij në fushë, është edhe paga e lartë e tij e cila do të rritej nga 5 milionë euro në 6.5 milionë euro në sezonin e dytë.
Thuhet se kiliani mund ta vazhdojë karrierën në klube si Flamengo, Olympique Marseille dhe Galatasaray. /Gazeta Express/