Video e postuar në TikTok i zbuloi tradhtinë jashtëmartesore, burri padit restorantin ku darkonte

0
2

Një rast i pazakontë po diskutohet gjerësisht në Itali, ku një burrë 42‑vjeçar ka nisur veprime ligjore ndaj një restoranti pasi bashkëshortja e tij zbuloi lidhjen e tij jashtëmartesore përmes një videoje të publikuar në platformën TikTok.

Sipas raportimeve nga mediat videoja u regjistrua brenda ambientit të restorantit pa dijeninë dhe pëlqimin e burrit, dhe më pas u shpërnda si përmbajtje promovuese në rrjetin social TikTok. Bashkëshortja e tij, duke parë pamjet, kuptoi se burri kishte një marrëdhënie jashtëmartesore, gjë që çoi në pasoja serioze për jetën e tij familjare.Burri po përfaqësohet nga Codacons, një nga shoqatat më të njohura në Itali për mbrojtjen e konsumatorëve. Avokatët argumentojnë se restoranti ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke filmuar dhe shpërndarë pamjet e klientëve pa lejen e tyre.

Është e papranueshme që një restorant të filmojë klientët dhe më pas t’i publikojë pamjet, duke i ekspozuar ndaj pasojave të paparashikuara,” deklaroi Francesco Tanazi, zëdhënës i Codacons.
Codacons po kërkon dëmshpërblim financiar në emër të klientit të saj dhe po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një ankese pranë Autoritetit Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për të hetuar shkeljen e ligjeve mbi privatësinë.

Rasti ka nxitur një debat më të gjerë në Itali mbi kufijtë e përdorimit të rrjeteve sociale nga bizneset, si dhe mbi përgjegjësinë ligjore të restoranteve dhe kompanive që publikojnë përmbajtje ku shfaqen klientët pa dijeninë e tyre. Mediat italiane theksojnë se veprime të tilla mund të kenë pasoja shumë të rënda në jetën private, familjare dhe shoqërore të individëve, veçanërisht kur përmbajtja shpërndahet gjerësisht online./E.K

Burimi: Il Tirreno