Një incident i vogël i ka ndodhur ish-kryeministrit Sali Berisha teksa është nisur drejt podiumit të Kuvendit Kombëtar të PD për të mbajtur fjalën e tij para delegatëve. I penguar në shkallët e podiumit, të cilat me sa duket nuk i pa për shkak të ngjyrës, ish-kryeministri ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë për një moment. Ai është ndihmuar nga një prej bodygardëve të tij ngrihet dhe më pas ka dalë përpara demokratëve të cilët e kanë pritur me ovacione dhe duartrokitje.
“Do filloj fjalën time me një mirënjohje të pakufishme ndaj jush se qëndruat në idealet më të larta njerëzore, ndaj ne jemi sot këtu më të fortë. Kuvend përcaktues jo vetëm për fatin e PD, por të demokracisë, pluralizmit dhe lirive të shqiptarëve.
Ish themelues, me këta delegate, me drejtimin e ri të PD, do bëjmë gjithçka që të rinjtë, gratë, zonjat, të dalin sa më shumë në krye të kësaj partie si rruga më e sigurtë e fitores së saj. Në këtë Kuvend, ne mblidhemi krenarë se pas një eksperience unike në historinë e një force politike në Evropë patëm një ditëlindje të dytë.
Më 11 dhjetor 2021, në një kuvend historik rilindi përsëri PD, kjo parti nuk vdes kurrë.
Ne donin të fshinim nga faqja e dheut regjimin e bazuar në krimin, drogën, urrejtjen ndaj shqiptarëve. Ju u bashkuat e rithemeluam bashkë PD sepse ne donim që kjo parti ashtu si lindi të mbetej avokate e pamposhtur e vlerave më të arrira konservatore tradicionale. U rithemeluam se donim të vendosur të mbrojmë interesin kombëtar të shqiptarëve të nëpërkëmbur nga nja albanofob bastard i nomenklaturës së vjetër komuniste që shkelmon mbi dinjitetin e qenien e interesat e shqiptarëve, Edi Rama. Si përmbysëm 30 vite më parë diktaturën staliniste më të egër të Evropës do përmbysim së shpejti tiraninë e narkoshtetit, të vetmen në Evropë, tiraninë e baronëve të drogës të kryesuar nga Edi Rama”, tha Berisha mes të tjerash.