Ekipet e shpëtimit në Turqi e Siri vazhdojnë sot mes të ftohtit të ashpër për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja, me shpresat që vijnë duke u pakësuar tre ditë pasi tërmeti shkatërrues goditi dy vendet.
Numri i viktimave deri më tani ka shkuar në më shumë se 16,000.
Ndërsa operacionet vazhdojnë ditë e natë, rënia e temperaturave e bën jetën një makth për të mbijetuarit që nuk kanë ku të shkojnë.
Në Gaziantep të Turqisë temperatura ka rënë në -5 gradë celcius herët në mëngjes.
Palestra, xhami, shkolla e dyqane kanë mirëpritur të mbijetuarit, por shtretërit janë të pakte dhe mijëra të tjerë kalojnë netët në makinat e tyre ose strehimore të improvizuara
“Fëmijët tanë kanë ngrirë”, u ankua Ahmed Hussein, një baba i pesë fëmijëve, i cili u detyrua të ngrinte strehë para shtëpisë së tij të dëmtuar në qytetin në Gaziantep, qytet pranë epiqendrës së tërmetit 7.8 ballë.
“Duhet të djegim stolat e parkut dhe disa rroba të fëmijëve”, shtoi ai. “Të paktën të na kishin dhënë çadra”, thekson ai duke iu referuar autoriteteve turke.r.t/abcnews.al