Reshjet me intensitet të lartë që po bien që prej orës 18:00 në qytetin e Elbasanit dhe kudo në të shtatë bashkitë e këtij Qarku kanë krijuar probleme sidomos në qarkullimin e këmbësorëve dhe të automjeteve në disa prej rrugëve kryesore në zonat urbane ne të cilat kanë vërshuar sasi jashtëzakonisht të mëdha uji. Prurjet për shkak të reshjeve të dendura janë tepër të mëdha dhe kolektorët nuk mund të përballojnë sasi të jashtëzakonshme uji. Për pasojë janë përmbytur disa segmente rrugore dhe disa garazhe ne zona të ndryshme të qytetit të Elbasanit.Edhe disa segmente të rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd -Prrenjas janë tepër problematike .Në disa segmente ka përmbytje.Në disa të tjeta si në Labinat Fushë, Kthesat e Murrashit,Pishkak etj janë mbushur me inerte te sjella nga dalja nga shtrati i përrejve malorë si dhe rënia e gurëve dhe masiveve të dherave nga lartësitë. Ndërkohë shërbimet e policisë rrugore janë shtuar në të gjitha segmentet problematike dhe këshillihen përdoruesit e rrugës Tiranë -Korçë të evitojnë qarkullimin gjatë natës së Premte pasi rreziku nga kushtet atmosferike është i madh.