Vidhnin traktorë në Itali dhe i sillnin në Shqipëri, goditet banda shqiptare/ Ja si funksiononin

0
2

Karabinierët në Modena dhe Reggio Emilia kanë goditur një bandë të specializuar në vjedhjen e traktorëve bujqësorë, duke arrestuar katër shtetas me origjinë shqiptare, të moshave 21, 44, 46 dhe 58 vjeç. Të dyshuarit akuzohen për organizim kriminal, vjedhje të mjeteve bujqësore, fshehje të sendeve të vjedhura dhe pastrim vetjak të automjeteve. Mjetet e vjedhura kishin një destinacion të vetëm: Shqipërinë.

Hetimet nisën në shtator 2025

Policia italiane nisi hetimet pas një serie vjedhjesh traktorësh gjatë verës në provincën e Modenës. Rasti më i rëndë ndodhi më 24 korrik, kur u vodhën katër mjete në një fermë në San Prospero, si dhe më 5 gusht në Zocca, ku u morën dy të tjera. Banda dyshohet se ka kryer vjedhje edhe në Reggio Emilia, Bologna, Parma, Forlì–Cesena dhe Piemonte.

Si vepronte band

Hetuesit zbuluan se grupi kryente vëzhgime të detajuara të fermave dhe përdorte automjete të vjedhura për të transportuar traktorët. Mjetet fshiheshin në zona rurale të izoluara për të shmangur zbulimin nga sistemet satelitore. Më pas, traktorët ngarkoheshin në një kamion të drejtuar nga anëtari më i moshuar i grupit dhe transportoheshin drejt Shqipërisë përmes një rruge tokësore që kalonte në Slloveni, Kroaci, Bosnjë–Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Përgjime, kamera sigurie dhe ndjekje

Përmes përgjimeve telefonike, analizës së trafikut telematik, pamjeve të sigurisë dhe operacioneve në terren, policia arriti të lidhte bandën me 28 traktorë të vjedhur, nga të cilët 22 u rikuperuan, si dhe 17 automjete e furgonë, 14 prej të cilëve u kthyen tek pronarët. Vlera e mjeteve të sekuestruara arrin 2.5 milionë euro.
Gjatë kontrollit u sekuestruan gjithashtu pajisje “jammer” për bllokim sinjali, detektorë përgjuesish, çelësa ndezjeje traktorësh dhe mjete të përdorura për thyerje.

Masa e sigurisë

Pas seancës së mbajtur të shtunën, gjykatësi italian urdhëroi arrest me burg për të katër të arrestuarit, duke konfirmuar kërkesën e Prokurorisë.

Ky operacion konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut të mjeteve bujqësore me destinacion Shqipërinë.

© SYRI.net