- Të paktën 8 vetë u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën pasi një person qëlloi me armë zjarri nga një makinë, në një qytet në afërsi të Beogradit, të enjten vonë në mbrëmje. Njoftimi u bë nga televizioni shtetëror.
Personi i armatosur qëlloi mbi njerëzit pa dallim, pranë qytetit Mladenovac, rreth 50 kilometra në jug të Beogradit, njoftoi RTS të premten herët në mëngjes. Policia është në kërkim të autorit që dyshohet të jetë një 21-vjeçar, i cili u largua menjëherë pas sulmit.
Ngjarja vjen një ditë pasi një djalë 13-vjeçar, vrau me armën e babait të tij, tetë nga shokët e klasës dhe një roje shkolle në Beograd. Ngjarja shkaktoi tronditje në vendin ballkanik.
Megjithëse Serbia është e mbushur me armë të mbetura nga luftërat e viteve 1990, sulmet në masë janë jashtëzakonisht të rralla.
Sulmi më i fundit në masë, para ngjarjes në shkollën fillore në Beograd, ka ndodhur në vitin 2013, kur një veteran lufte vrau 13 persona në një fshat serb.
Ministri i Brendshëm serb Bratislav Gasiç e quajti sulmin e së enjtes “një akt terrorist”, sipas medias shtetërore.
Ai njoftoi se në zonë janë dërguar njësitë speciale të policisë dhe helikopterëve. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi ngjarjen dhe policia nuk ka bërë ende asnjë deklaratë./VOA