Vjedhja e parave të popullit me “ECO TIRANA”! SPAK, kur do të veprosh ndaj Maznikut?

0
2

Në 28 janar 2021, JOQ publikoi një lajm mbi një tender të zhvilluar nga shoqëria “ECO TIRANA”, kompani e përmendur edhe më herët në media për dyshime serioze mbi mënyrën e përfitimit të fondeve publike. Bëhej fjalë për tenderin me numër reference REF-79004-11-17-2020, me objekt blerjen e mjeteve të rënda, me një fond limit prej 38,533,013 lekësh të reja pa TVSH. Ajo që ra menjëherë në sy ishte fakti se në garë mori pjesë vetëm një kompani e vetme, “START CO”, e cila u shpall fituese.

Kompania fituese ofroi 37,890,000 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 450 milionë lekë të vjetra me TVSH, shumë pranë fondit limit, konkretisht 98.33% e tij. Mungesa totale e konkurrencës dhe oferta thuajse identike me fondin limit u konsideruan elementë që ngrenë dyshime të forta për një tender formal dhe jo realisht konkurrues. Në atë kohë, administrator i “ECO TIRANA” rezultonte Arbjan Mazniku, funksionar i lartë i Bashkisë së Tiranës.

Sot, mbi katër vite më pas, Arbjan Mazniku mban postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor (që prej shtatorit 2023), ndërsa ky dhe raste të ngjashme të denoncuara publikisht mbeten pa një përgjigje institucionale. Rikujtimi i këtij tenderi sjell sërish në vëmendje një pyetje që vazhdon të shqetësojë opinionin publik kur do të veprojë SPAK për të hetuar procedura të tilla dhe për të sqaruar përgjegjësitë? Heshtja institucionale përballë fakteve të publikuara vetëm sa thellon dyshimet dhe cenon besimin e qytetarëve te lufta kundër korrupsionit.

  

JOQ