Meteorologu Akil Osmani, në një lidhje live , tha se muaji mars do të karakterizohet nga të gjitha ngjyrat e motit. Sipas tij, ndyshe nga vitet e tjera, këtë vit muaji mars do të ketë temperatura tipike pranverore dhe të larta duke arritur deri në 22 gradë Celsius.
Gjithashtu, meteorologu theksoi se 15 ditët e para të muajit mars do të jenë me mot të qëndrueshëm, ndërsa do të ketë edhe alternime me vranësira të shpeshta, pra sipas tij, do të ketë momente të pakta shiu në zona të caktuara.
“Kjo javë pritet të jetë tipike pranverore, pasi temperaturat do të jenë më të larta krahasuar me ato tipike të muajit mars, me maksimume që do të regjistrohen nga 20 deri në 22 gradë Celsius. Jo vetëm në orët e mesditës, por edhe në mëngjes do të ketë një rritje të lehtë të temperaturave.
Parashikohet që kjo javë të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta. Vranësirat priten të jenë më të dukshme ditën e martë në verilindje të territorit, duke krijuar momente të pakta me shi. Pas një përmirësimi të motit ditën e mërkurë, dita e enjte do të sjellë përsëri vranësira dhe rritje të lagështisë në ajër, me mundësi për reshje lokale në veri dhe në zonat qendrore, ndërsa zonat jugore do të mbeten kryesisht me mot të qëndrueshëm.
Situata meteorologjike do të kalojë shpejt, pasi dita e premte dhe fundjava pritet të sjellin mbizotërimin e motit të qëndrueshëm dhe intervale të gjata me diell. Sa i përket erës, nuk priten erëra të forta, me shpejtësi jo më shumë se 28 km/orë.
Pjesa e parë e muajit mars do të jetë kryesisht me mot të qëndrueshëm dhe temperatura të larta, ndërsa në pjesën e dytë priten reshje shiu.
Sa i përket rajonit, dita e hënë pritet të jetë e qëndrueshme, ndërkohë dita e martë do të sjellë vranësira, më të dukshme për Kosovën dhe Malin e Zi, me mundësi reshjesh herë pas here. Pas një përmirësimi ditën e mërkurë, dita e enjte do të sjellë përsëri shpeshtimin e vranësirave, të cilat nuk do të jenë problematike. Dita e premte dhe fundjava do të sjellin përmirësim të motit në të gjithë rajonin.
Kemi rritje të temperaturave të ajrit si për Kosovën, ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit”, u shpreh meteorologu.


