Një mozaik natyror magjepsës të ofron në këto ditë vjeshte Parku Kombëtar i Qafështamës, 25 km në verilindje të qytetit të Krujës, i kthyer në një destinacion të vërtetë turistik në çdo stinë të vitit.
Pamjet e krijuara nga zverdhja e gjetheve në parkun e Qafështamës tërheq jo pak vizitorë, për të shijuar këto bukuri në stinën e vjeshtës.
Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, publikoi sot disa fotografi me pamje nga ky park ku edhe fton turistët vendas dhe të huaj ta vizitojnë atë.
Mes një natyre të virgjër dhe të thyer, turistë vendas dhe të huaj e shohin si destinacioni i duhur për ecje nëpër shtigje, çiklizëm nëpër terrene të thyera dhe kamping. Gjatë periudhës janar-shtator ky park u vizitua nga 45 400 turistë, nga të cilët 7 300 të huaj.
Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”./k.s/