Vlonjati kërcënon fqinjin se do ta vrasë, Policia i mësyn në shtëpi dhe gjen kallashnikovin me dy krehëra plumbash (EMRI)

0
36

Erion Budo, një 51 vjeçar nga Vlora, ka rënë në prangat e policisë së qytetit bregdetar pasi ka tentuar të vrasë me armë zjarri fqinjin e tij. Ngjarja e rëndë fatmirësisht është parandaluar nga blutë e Vlorës, të cilat kanë vlerësuar informacionet e marra në rrugë operative.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas informacionit të marrë se 51 vjeçari posedonte armë zjarri dhe kishte konflikt me fqinjin e tij, konflikt ky që kishte arritur në kërcënime serioze për jetën, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike 21”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Erion Budo, 51 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, të fshehur në një fuçi, së bashku me dy krehëra dhe 75 fishekë. Falë ndërhyrjes në kohë, u parandalua kjo ngjarje që mund të kishte pasoja të rënda.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.