Një 38-vjeçar është arrestuar këtë të mërkurë në Elbasan, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në fabrikën që administronte.
DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Shpenzimet”.
Vodhi 2 500 000 lekë të rinj në fabrikën që administronte, një pjesë xhiro ditore dhe pjesën tjetër duke mashtruar se do të blinte një automjet për fabrikën, kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari.
Gjatë operacionit, si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan kapi dhe ndaloi shtetasin A. B., 38 vjeç, banues në Elbasan.
Pas hetimeve, Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar ndalimin e 38-vjeçarit, pasi akuzohet se gjatë një viti, ka vjedhur në fabrikën për prodhimin e nënprodukteve të mishit, që administronte, 2 500 000 lekë të rinj. Shuma dyshohet se është vjedhur nga xhirot ditore, si dhe duke mashtruar se do të blinte një automjet për fabrikën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.