Vodhi disa herë para dhe bizhuteri në një banesë ku ishte punësuar si bravandreqës, arrestohet 56-vjeçari

0
46

Policia në Durrës lajmëron se ka arrestuar një 56-vjeçar, pasi dyshohet se ka vjedhur shuma parash në një banesë, ku ishte punësuar si bravandreqës.

Burri i arrestuar, përpos se ka vjedhur para, gjithashtu ka grabitur edhe bizhuteri e sende me vlerë.

“Vodhi disa herë, shuma parash dhe bizhuteri, në një banesë ku ishte punësuar si bravandreqës, arrestohet 56-vjeçari.

56-vjeçari, me precedent kriminal për krime kundër personit.

Sekuestrohen një pjesë e bizhuterive të vjedhura dhe një kopje çelësash, që u gjetën në banesën e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas administrimit të kallëzimit të shtetases M. Gj., se në banesën e saj, i kishin vjedhur disa bizhuteri me vlerë 16 000 euro dhe shuma parash, është identifikuar autori i dyshuar i këtij rasti.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua shtetasi O. S., 56 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas, gjatë kohës që ka qenë i punësuar për të ndrequr bravat e banesës së shtetases M. Gj., në fshatin Arapaj, ka bërë një kopje çelësash dhe e ka përdorur më pas për të hyrë disa herë në banesë, për të vjedhur shuma parash dhe bizhuteri.

Gjatë kontrollit në banesën e 56-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur një pjesë të bizhuterive të vjedhura në banesën e shtetases M. Gj. dhe kopjen e çelësave, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 1 celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.