Është arrestuar 23 vjeçari që vodhi nën kërcënimin e thikës 3 biznese në qytetin e Korçës.
Orgen Munushtri fillimisht kreu një vjedhje në një market, më pas u largua dhe vodhi edhe në 2 biznese të tjera në lagjet nr.7 dhe nr.9 në Korçë.
Gjithsej në të tria bizneset Munushtri mori 43000 lekë të rinj.Policia bëri të mundur lokalizimin e autorit tek terminali i autobuzëve ku edhe u arrestua.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Precedenti”, kundër veprimtarisë kriminale të vjedhjes.
Vodhi shuma parash nën kërcënimin e thikës në tre biznese në Korçë, identifikohet, kapet dhe arrestohet 23-vjeçari.
Shërbimet e Policisë menjëherë pas marrjes së njoftimit, se në lagjen nr. 5, një shtetas kishte kanosur me mjet prerës (thikë), shitësen në një market, kishte marrë një shumë parash dhe ishte larguar, kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit.
23-vjeçari, pasi kreu vjedhjen në market dhe u largua, kreu vjedhje dhe në 2 biznese të tjera, në lagjet nr. 7 dhe nr. 9, Korçë, duke marrë një sasi lekësh. (Gjithsej në të tria bizneset, 23-vjeçari mori 43000 lekë të rinj).
Shërbimet e Policisë bazuar në informacionet e grumbulluara, këqyrja e kamerave dhe si rezulat i kontrollit të ambienteve të ndryshme ku dyshohej se fshihej autori, në kuadër të operacionit policor të koduar “Precedenti”, kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin tek terminali i autobusëve, kapjen dhe arrestimin e shtetasit O. M., 23 vjeç, banues në Korçë.
Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi O. M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.