Votimi nga Diaspora/ KQZ miraton rregullat për regjistrimin e votuesve dhe listat e zgjedhësve

0
22

Në mbledhjen e kësaj të premteje, KQZ po miraton rregullat për regjistrimin e votuesve dhe listat e zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare të 2025.

Çdo qytetar shqiptar, i cili jeton jashtë dhe kërkon të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duhet të regjistrohet në Platformën Elektronike të Regjistrimit të paktën 68 ditë përpara datës së votimeve.

Sipas KQZ-së, zgjedhësit do të duhet ta shkarkojnë dhe të krijojnë një llogari të tyre, e cila është e aksesueshme dhe pa pagesë.

 

Çfarë elementësh përmban llogaria

Kjo llogari kërkon identifikimin biometrik me njohje të fytyrës, një kod unik i përkohshëm 6 shifror që i dërgohet zgjedhësit në numrin e tij të telefonit mobil dhe email, si dhe Numri Personal i Identifikimi.

Ndërkohë dokumentet që do të duhet të ngarkojë për t’u regjistruar janë certifikatë pronësie, vërtetim banimi, kontratë qiraje apo çdolloj dokument të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një strukturë të caktuar.

Miratimi i listës përfundimtare të zgjedhësve nga KQZ

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive dhe tre ditë më vonë ose 60 ditë para datës së zgjedhjeve, miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, e cila pas këtij momenti nuk ndryshon.

Si llogaritet vota nga jashtë

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, vota e votueseve nga jashtë vendit, llogaritet në qarkun ku ai/ajo ka jetuar përpara se të largohej nga Shqipëria./ abcnews.al