Ora News siguron ekskluzivisht foton e makinës që dyshohet se kanë përdorur autorët e ekzekutimit të Nazmi Bandulës mëngjesin e 12 prillit 2022 në Shkodër.
Ishte ora 08:15. Nazmi Bandula ishte ulur në një lokal pranë banesës për të pirë kafen e mëngjesit në lagjen “Partizani”.
Ai ndërroi jetë menjëherë aty për pasojë të plumbave që mori në trup.
Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po vëzhgojnë të gjitha pamjet që kanë siguruar ato.
Disa nga kamerat kanë kapur makinën e autorëve, foton e të cilëve Ora News arriti ta siguronte ekskluzivisht.
Ajo ishte një makinë tip Mercedez Benz ngjyrë ngri me targa të vjedhura. Makina ka lëvizur në disa lagje të qytetit por më pas ka humbur gjurmët, raporton gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj.
Ka nisur kontrolli dhe në pikat e makinave pasi ka dhe dyshime se ajo mund të jetë çmontuar.