Vranë një person pas sherrit për pronat, gjykata dënon babë e bir me 37 vite burg

0
186

Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka dënuar me 37 vite burg në total babë e bir, Et’hem dhe Dino Muhaj të cilët akuzohen për vrasjen e Alket Muhajt, më 6 shtator të vitit 2018 në fshatin Rabije në Memaliaj. Konkretisht Et’hem Muhaj është dënuar me 20 vite burg ndërsa i biri Dino Muhaj me 17 vite burg.

Vendimi është dhënë nga drejtuesja e seancës gjyqësore Blerta Cibuku pas një maratone 3-vjeçare për gjykimin e autorëve të kësaj ngjarje. Për të shmangur një përplasje mes familjarëve të të dyja palëve, policia ka vendosur masa të rrepta sigurie në momentin e dhënies së vendimit në gjykatë.

Në pretencën e tij prokurori i çështjes Julian Cafka kishte kërkuar nga 23 vite burg për secilin, me akuzën e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, nga 6 vite për armëmbajtje pa leje dhe nga 1 vit burg për prodhim pa leje të armë sportive, (në total 30 vite burg për secilin).

Alket Muhaj u gjet i pajetë, në tokat bujqësore që kishin në pronësi. Shkak dyshohet se u bë një konflikt pronësie që viktima kishte pasur me dy autorët e ngjarjes. /Abcnews.al