Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur mesditën e sotme në lagjen Kala të Beratit, ku një konflikt i çastit mes dy personave ka përfunduar me vrasjen e një 42-vjeçari.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10, ku një 63-vjeçar ka goditur disa herë me thikë një 42-vjeçar, i cili ka humbur jetën gjatë transportit për në spital.
Sipas të dhënave paraprake, viktima dhe autori ishin përfshirë në një debat verbal, që më pas ka degraduar në dhunë fizike. Konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të një kali që përdorej për shëtitje turistike në kalatë e qytetit.
Autori i dyshuar, Kristo Mema, goditi me thikë disa herë viktimën, Keli Hoxha banues në Tiranë.
Pavarësisht përpjekjeve për ta dërguar në spital, 42-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit dhe është shpallur në kërkim nga policia, e cila ka nisur kontrollet në të gjithë zonën për kapjen e tij. Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. (A2 Televizion)


