Vajza tjetër e viktimës, 56-vjeçarit Anesti Rama ka folur për mediat lidhur me ngjarjen e rëndë teksa të dyshuara janë motra dhe nëna e saj. Ajo tha për Top Channel se e kishte telefonuar motra dhe i kishte thënë se babi ka rënë në banjë, e më pas e kishte fikur telefonin. Ajo tregoi se më pas ka telefonuar nënën e saj e cila i ka konfirmuar s 56-vjeçari ka ndërruar jetë.
“Më mori motra në telefon dhe më tha që babi ka rënë në banjë, më pas e fiku telefonin, marr mamin në telefon dhe i them është gjallë? Jo më tha ka vdekur, flisja shpesh në telefon nuk pashë të kishte gjë, nuk kuptova as edhe një gjë, me babin kam folur gjithmonë. Jetonte në shtëpi, bashkë, babai punonte, edhe mami edhe babi edhe motra”, tha ajo.
Ditën e sotme Valbona Rama bashkëshortja e të ndjerit Anesti Rama është arrestuar gjithashtu lidhur me vrasjen e tij. Krimi i rëndë ka ndodhur në një familje në fshatin Frashër të Fierit. 26-vjeçarja Emanilda Rama është arrestuar më 24 korrik pasi ka mbytur babanë e saj, Anesti Rama me tel dhe ngjarjen e ka raportuar në polici si vdekje aksidentale.
Në polici dje u raportua se është shoqëruar si fillim edhe nëna e saj pasi dyshohet se ka ndihmuar vajzën në pastrimin e trupit të viktimës me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale. Ngjarja e cila ka ndodhur në fshatin Frashër të Fierit, është kallëzuar nga vajza në polici rreth orës 23:00. Pas kallëzimit, policia gjatë dëshmisë të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë ngritur dyshime se vdekja e 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
Pas përfundimit të hetimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se Emanilda Rama ka vrarë babanë e saj për motive të dobëta. Konkretisht mësohet se e reja ka pranuar krimin dhe është shprehur se e ka vrarë sepse i ati ishte fanatik dhe nuk e linte të vishej si donte ajo apo të dilte. Ajo ishte ndarë nga partneri pak kohë më parë dhe jetonte me prindërit.