Vrasja e Arben Lleshit në burgun e Peqinit, Drejtori i Burgjeve: Ngjarje të tilla ndodhin edhe në Meksikë

0
50

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose teksa raportoi sot në Komisionin e Sigurisë është hasur me kritika nga deputetët opozitarë për gjendjen e sistemit të burgjeve.

Duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë në Peqin, deputeti Ferdinand Xhaferri tha se situata ka kaluar në një degradim të thellë, madje dhe ishte kthyer në një “hotel me 5 yje” për të burgosurit.

Mirëpo, sipas Qoses, Prokuroria është duke kryer hetime të hollësishme mbi rrethanat e ngjarjes, përfshirë mënyrën se si arma e përdorur për vrasjen hyri në burg. Ndërkohë, janë ndërmarrë masa administrative dhe disa punonjës janë marrë nën hetim.

Drejtori i Burgjeve konfirmoi se punonjësit e policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas ngjarjes dhe nuk kanë lënë detyrën, duke nënvizuar se ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera si Italia, Greqia dhe Meksika.

Pjesë nga diskutimi mes tyre:

Drejtori i Burgjeve: Më datë 15 dhjetor 2023 në burgun e sigurisë së lartë në Peqin u vra një i burgosur me armë zjarri pistoletë nga një  i burgosur tjetër. Lidhur me këtë ngjarje, rrethanat e kryerjes, bashkëpunimit dhe mënyra si kishte hyrë arma kontrabandë burgut, po kryhet një hetim i thelluar nga Prokuroria. Disa punonjës janë marrë nën hetim lidhur me veprimet dhe ndërveprimet e tyre, por deri tani nuk janë përfunduar hetimet. Sa i përket veprimeve të ndërmarra nga Drejtoria e Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal.

Ferdinand Xhaferri: Në dhjetor 2023 kemi një nga periudhat më të errëta lidhur me Drejtorinë e Burgjeve, futen armë, vriten të burgosur, ekspozohen shkresa që burgu i Peqinit ishte kthyer në hotel me yje, ekspozohen raporte që burg i sigurisë së lartë në Durrës ishte kthyer në hotel me 5 yje për të burgosurit e korruptuar të politikës. Këto flasin për një degradim që s’ka shpatulla ta mbajë drejtori i burgjeve dhe ministri i Brendshëm, përgjegjësia është te kryeministri.

Ai droni do ikte me porosi nëpër korridore për të shkuar nëpër dhoma, apo do ulej në sistemin e ajrimit. 2023 viti më i errët i historisë së tranzicionit lidhur me burgjet. Për 9 muaj nuk paska përgjigje, si bosët e krimit komandojnë drejtuesit e politikës. Nëse ke ndonjë gjë më shumë për të thënë se tregohu i sinqertë dhe thuaj i kalon shpatullat dhe kompetencat e mia dhe shkoni se përgjigjen e keni më lart.

Drejtori i Burgjeve: Janë marrë masa të menjëhershme pas ngjarjes dhe veprimet e punonjësve të policisë pas ngjarjes së rëndë. Asnjë nga punonjësit e policisë nuk e ka lënë detyrën por kanë vepruar deri në neturalizmin e autorit. Ngjarje të tilla kanë ndodhur dhe në Itali, Greqi, Meksikë.