Gjykata e Elbasanit, ka urdhëruar prokurorinë, të kryejë veprime të reja hetimore në lidhje me vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, në gusht të vitit 2012.
Mes këtyre veprimeve është edhe marrja në pyetje e dy anëtarëve të fisit Çapja.
Pas kthimit të çështjes për plotësim në dhjetor të 2020, gjyqtarja Enkeleda Kapedani, urdhëron prokurorinë të verifikojë vërtetësinë e thënieve të bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Ervis Bardhi dhe rolin në vrasjen e babë e bir, të personit tjetër të arrestuar Etien Cani.
Gjykata ka caktuar 14 detyra për prokurorinë, duke kërkuar plotësimin e tyre brenda një afati 4 mujor.
Mes 14 porosive që gjykata i cakton organit të prokurorisë, është pyetja e dy emrave të njohur në Elbasan, si Ardian Çapja dhe Florenc Çapja.
Ata duhet të pyeten dhe të japin shpjegime mbi rolin dhe pozicionin që kanë pasur në ngjarjen e vrasjes brenda në shtëpi, të Gentian dhe Nezir Beqirit.
Gjykata thekson se emri i Ardian Çapjas dhe Florenc Çapjas, ka dalë nga rrëfimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, i cili ka treguar se pikërisht këta dy persona kanë organizuar dhe financuar vrasjen e Gentian Beqirit, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Sokol Çapjes, në dhjetor 2005.
Gjykata i kërkon prokurorisë të ballafaqojë këta dy persona me Ervis Bardhin dhe Etien Canin.
Gjykata kërkon edhe bashkimin e dosjeve ku të pandehur janë Ervis Bardhi dhe Etien Cani me shtetasit Olsi alias Jorgo Leku dhe Klajdi Dokoli, të arrestuar së fundmi si të përfshirë në vrasje.
Një tjetër veprim i kërkuar nga gjykata është edhe pyetja e motrës së Gentian Beqirit, dhe dy punonjës policie të Elbasanit, të cilët ditën e krimit kanë qënë me shërbim ruajtje në banesën e Beqirit.
Atyre do tu kërkohen sqarime nëse Ervis Bardhi, hynte dhe dilte në shtëpisë e Gentian Beqirit, ku policët ishin vënë në ruajtje për shkak të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” në të cilën ndodhej viktima.
I penduari, Ervis Bardhi, ka pretenduar se është takuar me Olsi Lekun, Etjen Canin,Klajdi Dokolin, Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan në Elbasan dhe në zonën e Krrabës ndërsa gjykata ka urdhëruar edhe një verifikim mbi personat që kanë fshirë numrin e shasisë së makinës që Ervis Bardhi dhe Olsi Leku, përdorën për tu larguar pas vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan.
Ora news