Personi, që bashkëpunëtori i SPAK, Ervis Bardhi, futi si negociator tek anëtarët e familjes Çapja në Elbasan, është pyetur në Gjykatën e Posaçme, ku ka dhënë shpjegime lidhur me një mesazh në letër të përcjellë, anëtarëve kryesorë të kësaj familje.
Florenc Çela, nga qyteti i Elbasanit, u paraqit para tre gjyqtarëve, Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Erion Bani, në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër Ardjan Çapjas, Ervis Bardhit, Klajdi Dokolit dhe Etjen Canit, të akuzuar si financues dhe pjesëmarës në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit.
Çela, i ka treguar gjykatës dhe prokurorisë, se me të arrestuarin Ervis Bardhi, ka njohje shoqërore.
Sipas tij, për shkak të kësaj njohje, Ervis Bardhi, një ditë i kishte kërkuar një nder.
Dëshmitari ka rrëfyer se kohën nuk e fiksonte qartë, por ka qënë pikërisht periudha, kur Bardhi kishte dalë nga burgu i Peqinit, pasi kishte përfunduar dënimin me 6 vite burgim për drogë.
Florenc Çela, ka treguar se Bardhi, i ka kërkuar ti çonte informacion të shkruar në një letër dhe futur brenda në një zarf drejtuesve të familjes Çapja.
Këtë letër, Florenc Çela, ja ka dorëzuar një personi tjetër, që rezulton të jetë dhëndëri i tij që punon tek hotel Universi, pronë e familjes Çapja.
Kunati, i ka premtuar se do ja përcillte këtë mesazh.
Sipas informacioneve, pikërisht në këtë letër të futur në zarf, Ervis Bardhi, informonte Çapjat se prokuroria kishte rihapur hetimet për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, dhe se për këtë ngjarje ai ishte pyetur nga hetuesit.
Ndërkohë që prokuroria Elbasan, vijonte hetimet për rastin, frika e një arrestimi të mundshëm dhe mbylljen në burg, çoi Bardhin që të kërkonte ndihmë tek Çapjat, me shpresën se ata do e takonin, do i dilnin krah dhe siguronin mbrojtje. Dhe për të kërkuar ndihmë ai gjeti si lajmëtar pikërisht shokun e tij, Florenc Çela. Por disa ditë pas dorëzimit të letrës, lajmëtari rikthehet sërisht tek Ervis Bardhi, duke i njoftuar këtij të fundit një mesazh negativ nga Çapjat, se ata as nuk e njihnin fare dhe s’kishin çfarë ndihme ti jepnin kur s’kanë pasur ndonjëherë kontakt me të.
Me sa duket ky reagim dhe kjo lënie në baltë, por dhe provat e pakundërshtueshme të gjetura në makinën e djegur, çuan Ervis Bardhin të bashkëpunojë me prokurorinë, duke pohuar se vrasjen në 15 gusht 2012 në Elbasan, të Nezir dhe Gentian Beqirit, e kishte kryer ai së bashku me Olsi Lekun, të financuar nga Ardjan Çapja dhe Florenc Çapja.
Veç këtij dëshmitari, në seancë është paraqitur dhe ka dhënë dëshminë, Gjergji Meshau. Ky i fundit rezulton të jetë vjehrri i të pandehurit tjetër të kësaj dosje, i arrestuar në Athinë, Olsi alias Jorgo Leku.
Meshau, ka deklaruar në gjykatë se Olsi Lekun, e ka pasur dhëndër. Ai ka folur në prokurori, se tani nuk ka asnjë kontakt me Olsi Lekun, pasi vajza e tij, është divorcuar. Sipas tij, në periudhën kur Olsi Leku kishte marëdhënie familjare, shkonte dhe në shtëpinë e tij në Kombinat, ku herë pas here merte dhe shokë apo të njohurit e tij.
Ndërkohë sipas prokurorisë, vetëm pak ditë pas vrasjes së dyvishtë në Elbasan, Ervis Bardhi ka udhëtuar me taksi nga Elbasani në Tiranë, duke shkuar në banesën e Gjergji Meshaut. Ku pasi është interesuar për vendodhjen e Olsi Lekut dhe ka mësuar se ai ishte larguar në Përmet, Ervis Bardhi, ka udhëtuar drejt këtij qyteti për tu bashkuar me Lekun.
Gjithashtu një tjetër dëshmitar që u pyet në gjykatë, është Besmir Dedja, shok i Ervis Bardhit, i cili ditën e krimit ka pritur në shtëpinë e tij në Fushë-Mbret, Ervis Bardhin, duke e mbajtur një natë në shtëpi.
Seanca e rradhës është lënë të mërkurën e ardhshme, për tu pyetur dëshmitarë të tjerë. Ndërsa gjykimi në këtë çështje është veçuar për dy të pandehurit e tjerë, Olsi Leku, i arrestuar në Greqi dhe Florenc Çapja i arrestur dhe liruar më pas në Dubai.
Ora news