Të tjera detaje kanë dalë lidhur me vrasjen e biznesmenit Bujar Nasufit, ndodhur mbrëmjen e 12 Janarit në kryeqytet. Gazetari Igli Çelmeta raporton se pas këqyrjes së shumë kamerave të sigurisë, ka rezultuar se autori është nisur nga një lagje e Kombinatit për në Selitë e vogël, aty ku edhe ekzekutoi 57-vjeçarin. Nga hetimet ka rezultuar autori e ka pritur mbi 15 minuta Bujar Nasufin i fshehur në një rrugicë pranë banesës së 57-vjeçarit.
Dyshohet se autori e njihte shumë mirë zonën, pasi në çdo lëvizje që ka bërë nuk ka përdorur rrugën kryesore, por vetëm rrugica alternative. Kur është larguar autori i dyshuar me motor ka përdorur një rrugicë shumë pranë vendit ku kreu ekzekutimi për t’u larguar dhe më pas ka dalë në kodër Sharrë ku dogji motorin, shumë pranë zonës nga ku u nis, Kombinati.
Sipas informacioneve, familja Nasufi me origjinë nga Berati, jetojnë prej shumë vitesh në zonën e Selitës së vogël. Pesë vëllezërit e kësaj familjeje, janë pronarë të disa bizneseve në rrugën “Irfan Tomini”. Familjarët kanë deklaruar se pronat janë ndarë që herët dhe s’ka pasur probleme mes vëllezërve. Fqinjët e viktimës kanë deklaruar gjithashtu se biznesmeni ka qenë person i qetë, nuk kishte konflikte dhe bënte një jetë normale.