Vrasja e Bujar Çelës, mesazh për vëllain në kërkim për grabitjen e miliona eurove në Rinas dhe vrasje

0
281

Bujar Çela dyshohet se është vrarë për ti dhënë mesazh vëllait të tij Talo Çela, i cili ndodhet në kërkim për grabitjen e miliona eurove në Rinas, për të cilin gjykata ka dhënë arrest me burg në mungesë. Talo Çela ndodhet në kërkim dhe për vrasjen e 2 vëllezërve Haxhia në Durrës si dhe i dyshuar në përfshirje në ngjarje të tjera kriminale.

Grupi hetimor ka ngritur dyshimet se vrasja e 50-vjeçarit Bujar Çela është bërë për ti dhënë mesazh të shumëkërkuarit nga drejtësia Talo Çelës, i cili është vëllai i viktimës.

49-vjeçari, Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

49-vjeçari akuzohet si autori i dyshuar i grabitjes së miliona eurove në aeroportin e Rinasit më datë 9 prill 2019, ku disa persona nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare që po transportoheshin me avion.

Çela u akuzua se kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit të përdorur me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, për të futur lehtësisht në pistën e Rinasit, atje dhe ku ndodhi grabitja.

Milionat e eurove dyshohet se janë bërë shkak dhe për një serë vrasjesh në qytetin e Durrësit, pasi Çela gjithashtu akuzohet se ka lidhje me ekzekutimin e dy vëllezërve Haxhia.

Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia.

I riu Alla, ka treguar se Çela i kishte kërkuar një prej vëllezërve Haxhia se ku i kishte fshehur paratë e grabitura në 9 prill të vitit të shkuar.

Për këtë ngjarje ndodhet në kërkim dhe Nuredin Dumani. Këtu ka nisi dhe konflikti mes palëve që u mbyll me vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhiajt ngjarje e ndodhur në biznesin e tyre të tregut të makinave me qira në zonën e njohur si “Nishtulla” në “Shën Vlash” të Durrësit.

Grupi kriminal ku bëjnë pjesë edhe autorët e ekzekutimit të dy vëllezërve, dyshohet se kanë urdhëruar vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdia, ngjarje e ndodhur me datë 2 mars po të njëjtën zonë në Durrës.

Tre autore- Autorët dyshohet se kanë qenë tre persona, vrasës profesionistë. Njëri prej tyre ka ndihmuar për të larguar ekzekutorët.

Itinerari i autoreve- Autorët kanë dalë nga rrethrrotullimi i Bradasheshit për të mbërritur para lokalit. Pasi kanë parë shënjestrën kanë dalë nga makina dhe kanë shtënë në drejtim të 50 vjeçarit.

Vrasja me silenciator – Mendohet se vrasja eshte kryer me pistoletë me silenciator. Kjo e konfirmuar edhe nga pronari i lokalit i cili shprehet se nuk ka dëgjuar të shtëna.

Djegin makinen- Po verifikohen pamjet e katër kamerave të sigurisë të cilat kanë qenë aty, ndërsa makina e autorëve është gjetur e djegur në fshatin Murras, disa km larg Bradasheshit.

Pasi janë siguruar se makina është djegur plotësisht autorët janë larguar me një makinë tjetër për në drejtim të Rrogozhinës.

Targat e makinës kanë rezultuar të vjedhura po në Rrogozhinë ndërsa për makinën po vijojnë verifikimet.

Vrases me pagese- Nga mënyra si ka ndodhur krimi dyshohet se autorët janë vrasës me pagesë. Eliminimi i 50 vjeçarit është bërë për ti dhënë mesazh të vëllait të viktimës, Talo Çela i cili kërkohet nga drejtoria por dhe rivalët. Kjo pasi Bujar Çela nuk rezulton person me precedentë penalë.

Ora news