Vrasja e familjes shqiptare në Greqi, policia në “gjueti” për kapjen e autorit, zbardhen bisedat e tij me fqinjët

0
166

Policia greke vijon kërkimet për kapjen e autorit të vrasjes katër anëtarëve të familjes shqiptare Kloci në Adhravidha të Greqisë.

Me interes pritet edhe autopsia mjekoligjore e trupit të katër viktimave që pritet të hedhë në shumë dritë për kohën dhe rrethanat në të cilat u vranë 32-vjeçari, gruaja e tij 28-vjeçare dhe dy fëmijët e tyre një e dy vjeç.

Të katër trupat kanë qëndruar deri në mesditën e djeshme në shtëpinë ku ndodhi vrasja mizore e katërfishtë dhe më pas janë transferuar në Mjekësinë Ligjore të Patrës.

Autoritetet kanë vënë në shënjestër një 57-vjeçar, i cili nga banorët cilësohet si një njeri shumë i vetmuar, i cili përballej me probleme të rënda psikologjike.

Si një person që nuk i pëlqente shoqërimi. Ai i shmangej bashkëqytetarëve të tij, shumë prej të cilëve e kishin frikë për shkak të sjelljes së tij ekstreme

Madje mësohet se ka pasur edhe mosmarrëveshje financiare me çiftin për qiranë , pasi ishte pronar i shtëpisë.

Banorë të zonës kanë treguar se ai u kishte thënë se do t’i dëbonte nga shtëpia para skadimit të kontratës që vlente deri në mars.

Gjithashtu, ndërprerja e energjisë në këtë shtëpi tregon se si kjo mund të ketë qenë një mënyrë për t’i përzënë ata nga shtëpia një orë më parë.

Autoritetet janë duke u fokusuar tek personi konkret, pasi lëvizjet e tij janë regjistruar nga kamerat e sigurisë në dyqanet dhe shtëpitë, pranë banesës ku çifti jetonte me tre fëmijët e tyre të mitur.

Sipas mediave greke, gjatë kontrollit që u bë dje në shtëpinë e të dyshuarit kryesor, janë gjetur armë të cilat janë dërguar për ekspertizë balistike.

“Ai kishte një armë, në të cilën vendosi silenciator dhe vrau qentë”, tha një banor për 57-vjeçarin, i dyshuari kryesor për vrasjen e katërfishtë.