Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Elbasanit të muajit nëntor 2019, vendim që u la në fuqi dhe nga Apeli i Durrësit për Florenc Çapjan.
Trupa e gjykimit e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni shqyrtuan rekursin e prokurorisë, që kundërshtonte pushimin e çështjes për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Fadil Memës, ish-efektivit të rrugores.Më datë 20 nëntor të vitit 2019, gjyqtari Tomor Kullolli vendosi pushimin e çështjes për Florenc Çapjan, duke e liruar këtë të fundit nga qelia.Në atë kohë, gjykata u shpreh se nuk ka prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje. Vendimi për pushim u mor në seancën paraprake, ku gjykata duhet të vendoste kalimin ose jo të dosjes për gjykim.
Vendimi që u mor nga gjykata e Elbasanit u la në fuqi edhe nga Apeli i Durrësit, konkretisht nga gjyqtarja Anita Mici në 14 prill të vitit 2020.
Edhe gjyqtari Tomor Kullolli dhe gjyqtarja e Durrësit Anita Mici janë shkarkuar nga vetingu.
Në atë kohë, prokuroria ngriti akuzat ‘Vrasje me paramendim’ e mbetur në tentativë dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve luftarake’, ndaj Çapjas.
Ka qenë prokuroria ajo e cila bëri rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kjo gjykatë vendosi t’ia rikthejë çështjen gjykatës së Elbasanit në seancë paraprake.
Bëhet fjalë për një atentat që i është bërë Fadil Memës në vitin 2006.