Vrasja e Mondi Mëhallës në Elbasan/ Shpallet në kërkim 35-vjeçari, ‘shokët’ i nxorën emrin në polici! Dyshohet të jetë larguar jashtë Shqipërisë

0
2

Një tjetër biznesmen nga Elbasani, që ashtu si 44-vjeçari Mëhalla, merret me dhënien e  makinave dhe taksive me qira, dyshohet që pak kohë para vrasjes, të ketë pasur një konflikt me të ndjerin. Emri i Oklid Dalipit, doli nga dëshmia e një prej personave të shoqëruar pas atentatit.Me tre persona në paraburgim, dhe 2 të tjerë në kërkim, Policia e Elbasanit ka zgjeruar dyshimet ndaj të tjerë personave të përfshirë. Për këtë ka ndihmuar dëshmia e njërit prej të shoqëruarve të parë, i cili ka folur për konflikte të mundshme të Mondi Mëhallës, me një tjetër biznesmen në Elbasan, të një profili të ngjashëm, atë të automjeteve me qira.

Bëhet fjalë për një 35-vjeçar, të shpallur zyrtarisht në kërkim, me emrin Oklid Dalipi. Nuk dihet në cilin vit në për çfarë arsyesh, i riu biznesmen, e ndërroi mbiemrin në El Ouejd, siç dhe sot e ka në gjendjen civile. Megjithë dëshminë e rëndësishme për të, hetuesit kanë pak detaje se cila mund të jetë përfshirja e biznesmenit35-vjeçar në vrasjen e Mëhallës më 30 nëntor para karburantit në pronësi të tij në Elbasan. Mes tyre dyshohet të ketë ndodhur një konflikt i ndodhur mes tij dhe Mëhallës jo shumë larg nga dita e ngjarjes. Se për çfarë janë përplasur, nuk po ndihmojnë as personat e arrestuar të cilët deri më tani, nuk janë treguar bashkëpunues. Për lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit janë zhvilluar disa kontrolle, por deri tani të pasuksesshme. Burimet thonë se ka dyshime të jetë larguar në drejtim të vendeve fqinje në mënyrë ilegale, çka vështirëson arrestimin e tij.

Megjithatë, hetuesit kanë në duar prova të reja që përforcojnë dyshimet se qitësi mund të jetë i arrestuari nga Përrenjasi, Nevzat Spaho. Makina në pronësi të tij një “BMË”, ka lëvizur në fshatin Mirakë gjatë momenteve kur është djegur makina e Audi që u përdor në krim, kjo e faktuar nga kamerat e sigurisë.

Në burg për ngjarjen, qëndrojnë edhe ish-ortaku i Mëhallës, Xhino Ago, dhe banakieri i karburantit “Xhaxhi Oil”, Kujtim Pisha. Të dy dorëzuan deklarata nga familjarët e Mëhallës se nuk dyshojnë të jenë pjesë e krimit, por kjo nuk e bindi gjykatën. Mondi Mëhalla u qëllua sapo doli nga shtëpia e nënës së tij shumë pranë karburantit dhe hyri në makinë. Ekzekutori del i qetë nga makina, afrohet te xhami i “Range Rover” dhe qëllon 6 herë, 2 plumba të të cilit e kapën Mëhallën në kokë.

Në kërkim vijojnë të jenë edhe Armando Kola dhe Marselo Aranin, të cilët ishin pjesë e grupit që morën makinën që u përdor në krim, “Audin”, që më pas u shkrumbua në fshatin Mirakë të Librazhdit.