Vrasja e Pjetër Kazas në Tale të Lezhës, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar

0
8

Policia e Lezhës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një të dyshuar për vrasjen një ditë më parë në Tale të Lezhës. Policia nuk ka dhënë shumë detaje mbi autorin, por vetëm inicialet e të dyshuarit G. A., për shkak të hetimeve.

Sipas Policisë i dyshuari ka qëlluar me armë zjarri automatike 57-vjeçarin Pjetër Kaza, në momentin që ai kishte zbritur nga makina për të hapur portën e banesës, për të hyrë në shtëpi. Si pasojë e dëmtimeve, 57-vjeçari ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, shkruan A2 CNN.

Viktima është 57-vjeçari Pjetër Kaza, i cili në momentin e ngjarjes ishte duke u kthyer në shtëpi pasi kishte punuar turnin e natës në minierën e Spaçit.

Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje, citon A2 CNN. Ndërkohë, shërbimet policore vijojnë kontrollet në terren, për kapjen e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim për këtë rast.

Njoftimi i Policisë Lezhë

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e autorësisë së vrasjes së 57-vjeçarit, në fshatin Tale.

Si rezultat i hetimeve intensive, provave të mbledhura në vendin e ngjarjes dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, grupi hetimor ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 1 shtetas të dyshuar si autor të vrasjes së 57-vjeçarit.

Nga hetimi intensiv dyshohet se shtetasi G. A. (për shkak të hetimeve nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera) ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit P. K., në momentin që ai kishte zbritur nga makina për të hapur portën e banesës, për të hyrë në banesë. Si pasojë e dëmtimeve, 57-vjeçari  P. K. ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë  ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, shërbimet policore vijojnë kontrollet në terren, për kapjen e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim për këtë rast.