Policia greke ka arrestuar ditën e sotme një 32-vjeçar turk, që dyshohet se mund të ketë njohuri për masakrën e ndodhur në lagjen e quajtur Artemidë, në Athinë, dy ditë më parë.
Turku u kap teksa ishte duke u larguar nga Greqia drejt Turqisë. Atij iu gjetën 4 gëzhoja 9 mm dhe 2 karta false. Nga dëshmitë e disa banorëve të zonës turku kishte njohje me një nga viktimat e vrasjes. Sipas ekspertizave mjeko-ligjore vrasësit e gjashtë turqve kshin përdorur 4 armë zjarri, 2 prej të cilave pistoletë.
Nga hetimet, deri më tani del se viktimat kishin ngritur një grup kriminal që vepronte në vendet e BE-së, por jo në Greqi. Automjeti me të cilin udhëtonin vinte nga Gjermania, me targa gjermane false.
Po ashtu gjatë ditës së sotme u zbulua edhe shtëpia ku qëndronin përkohësisht viktimat, vetëm 2 km larg vendit ku u ekzekutuan. Ata kishin marrë me qira një apartament përmes Airbnb, për të ruajtur anonimatin dhe për të mos rënë në sy të grupeve rivale.