Mihal Toshi, është vëllai i Damiano Toshit, i cili është dënuar nga gjykata e Elbasanit me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy basketbollistëve të “Skëndërbeut” në Korçë, Sokol Jahollarin dhe Rafael Rizan, si dhe plagosjen e Julian Beckës.
Toshi është zbuluar nga një analizë ADN-je gjaku, njolla të cilat u gjendën në vendin e krimit, ku u ekzekutua Ilir Rexhepi në Elbasan.
Mësohet se ADN-ja e Toshit është ekzaminuar dhe në dy ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Elbasan,si ajo e vrasjes së Ardian Ibrahimit, kunatit të Fadil Memës dhe vrasjes së Roland Rexhepit, por profilet në këto ngjarje kanë dalë negative.
Hetimet
Ndërkohë për ekzekutimin e Ilir Rexhepit, prokuroria e Elbasanit pak kohë më parë, ka kërkuar të ekzaminohen profilet gjenetike edhe për shtetasin Olsi alias Jorgo Leku, i kapur në Athinë, si pjesë një e një grupi kriminal që ka marrë pjesë në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit.
Deri në këtë fazë ende nuk ka një përgjigje konkrete nëse rezultatet e profileve gjenetike të Olsi Lekut të jenë të njëjta me ato që janë gjendur në vrasjen e Ilir Rexhepit. Ekzekutimi i këtij të fundit është kryer me pagesë për llogari të një grupi kriminal në Elbasan.
Kjo pasi dy vite më parë, në 29 korrik 2009, i njëjti grup kriminal, urdhëroi vrasjen e vëllait të Ilirit, Roland Rexhepit ose siç njihej ndryshe me nofkën ”Doda”. Eleminimi i dy vëllezërve është pjesë e serialit të vrasjeve mafioze të ndodhura gjatë këtyre viteve në qytetin e Elbasanit, ku si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale, janë rregjistruar shumë viktima.
Ora news