Vrasja e dyfishtë e së hënës në Elbasan dyshohet se është pasojë e përplasjes së grupeve kriminale me lidhje që shkojnë deri në Dubai. Ardjan Çollaku e Lulzim Bitri, kishin lidhje me disa prej krimeve të bujshme të ndodhura në qytet vitet e fundit dhe ekzekutimi i tyre duket se dërgon një tjetër mesazh se lufta mes tyre vijon.
Larja e hesapeve dhe e shkuara kriminale është pista kryesore e vrasjes së Lulzim Bitrit dhe Ardjan Çollakut në Elbasan.
Dyshimet e forta janë se vrasja e dyfishtë është pasojë e përplasjes mes grupeve kriminale të Elbasanit të lidhura me trafikun e drogës dhe veprimtari të tjera të paligjshme.
Hetimet për ngjarjen janë komplekse, por të dhënat çojnë tek përplasja e grupimeve të Talo Çelën, Nuredin Dumanin, dhe të ashtuquajturve Tarzani e Sakati, që të katër personazhe të njohur në botën e krimit.
Verifikimet tregojnë se Ardjan Çollaku e Lulzim Bitri, të dy me precendente penale dhe familjarë të tyre janë hetuar për disa vrasje të bujshme në Elbasan.
40-vjeçari Çollaku rezulton se është marrë në pyetje të paktën 5 herë në Elbasan për ekzekutimin e Everest Çakaj dhe njihej si lidhje e ngushtë e Talo Çelës dhe Emiljano Ramazanit alias “Ilit të Elbasanit”.
Ndërsa Lulzim Bitri, i skeduar për vrasje në Maqedoninë e Veriut dhe i dyshuar për vrasje në Elbasan, rezulton të jetë vëllai i Eljo Bitrit.
Ky i fundit ka qenë i dyshuar se kishte bërë vëzhguesin në vrasjen e Endrit Alibejt, xhaxhait të tij, Arben Dylgjeri, dhe shtetasit turk ngjarje e ndodhur në vitin 2018, vetëm disa metra më poshtë vendit ku ndodhi atentati i së hënës.
Po ashtu i riu, që aktualisht mësohet se qëndron në Dubai, ka qenë i dyshuar edhe për goditjen familjes Çapaj në muajin shkurt 2018, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe 8 u plagosën.
Ndaj dyshimet e forta janë se ekzekutimi Ardjan Çollakut e Lulzim Bitrit mund të jetë një goditje direkte ndaj të ashtuquajturit “Grupi i Dubait”, pjesë e të cilit konsiderohen disa persona nga Shqipëria të përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale.
Por për shkak edhe të përplasjeve brenda grupeve në Elbasan, nuk përjashtohet mundësia që ata kanë nisur një luftë ndaj njëri-tjetrit.
Hetimi është ende në fazën e parë dhe nuk përjashtohen as pista të tjera.
Duke iu rikthyer atentatit, të dhënat sugjerojnë se ai ishte i mirëorganizuar.
Autorët duket se ishin në dijeni të lëvizjeve të objektivëve kur i sulmuan para këtij servisi me breshëri plumbash.
Lulzim Bitri vdiq menjëherë ndërsa Ardian Çollaku disa orë më pas në Spitalin e Traumës pasi kishte pësuar vdekje klinike.
Atentati është filmuar nga kamerat e sigurisë, pamjet e të cilave sugjerojnë se ekzekutorët ishin dy persona të maskuar.
Pas krimit ata dogjën makinën tip “Volvo” në fshatin Balldre bashkë me dy armët që përdorën për atentatin.
Prej aty ekzekutorët janë larguar duke humbur gjurmët.
Rreth 25 persona janë shoqëruar në policinë e Elbasanit gjatë orëve të fundit, kryesisht në cilësinë e dëshmitarit ose personit në dijeni, por zyrtarisht vrasja e dyfishtë mbetet pa autorë.