Vrasja në Shënavlash/ Arrestohet bashkëpunëtori, 25-vjeçari ndihmoi Esmerald Ballën për të hedhur trupin e të atit në pus

0
73

Vrasja në Durrës- Vijojnë hetimet lidhur me krimin e ndodhur në Shenavlash në Durrës. Policia e Durrësit pas hetimeve të thelluara ka vënë në pranga një 25-vjeçar, që dyshohet se ka ndihmuar Esmerald Ballën për të hedhur trupin e të atit të vrarë në pus.

“Në vijim të veprimeve hetimore të pandërprera, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Shënavlash, ku djali vrau me armë zjarri babain e tij dhe e deklaroi të larguar nga banesa, duke pretenduar se kishte humbur kontaktet me të, veprimet janë intensifikuar dhe si rezultat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i bashkëpunëtorit të tij, shtetasit 25 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës. Ky shtetas, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin E. B., dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia. Gjatë kontrollit në banesën e të riut., u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/