Një atentat me armë zjarri është regjistruar pasditen e sotme në rrugën Transballkanike në Vlorë.
Nga raportimet paraprake nga vendi i ngjarjes bëhet me dije se viktima Taulant Gjikaj 31 vjeç është qëlluar nga një mjet në lëvizje ndërsa po ecte në trotuar.
Dyshohet se në makinën me të cilën u krye atentati kanë qenë dy persona, njëri drejtonte automjetin, ndërsa tjetri ka qëlluar në drejtim të viktimës Gjikaj.
Policia ka rrethuar menjëherë zonën dhe u vu në ndjekje të atentatorëve.
Burimet bëjnë me dije se autori është kapur në dalje të Vlorës, në afërsi të DRSHTRR Vlorë.
Kanë qenë deshmitarët ata që kanë identifikuar mjetin dhe autorin brenda tij, duke ia bërë punën më të lehtë policisë.
Burime brenda policisë së Vlorës thotë se në drejtim të viktimës është qëlluar me pistoletë.
Njoftimi i policisë
Më datë 03.03.2021, rreth orës 14:20, në lagjen “Bashkimi”, në afërsi të Gjykatës së Apelit, Vlorë, është qëlluar me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta shtetasi T.Gj., 31 vjec, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin e Vlorës.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.