69-vjeçarja shqiptare, Nadire Kurti është dënuar sot me 14 vjet e 6 muaj burg për vrasjen e bashkëshortit të saj 72-vjeçar Shefki Kurti, nga drejtësia italiane.
Sipas mediave italiane, trupi i burrit ishte copëtuar dhe më pas ishte vendosur në disa thasë plehrash të hedhura në kanalin Adigetto.
69-vjeçarja a rrëfyer se kishte përdorur thika për të vrarë dhe copëtuar burrin e saj, që të mund ta transportonte më lehtë drejt qytetit, Adigetto-s. Zbulimi i pjesëve të trupit u bë më 31 gusht, kur këmba e tij e djathtë doli në sipërfaqe, e më pas hetuesit gjetën edhe pjesët e tjera të trupit të copëtuar të shqiptarit.
Prokurori shpjegoi se brutaliteti i këtij krimi i kishte bërë hetuesit që të mendonin pista të tjera fillimisht. Në fakt së pari u fol për një lidhje me krimin e organizuar, më pas u mendua se kishte probleme familjare. Por më vonë u zbulua se Nadirja kishte probleme psikologjike. Prej vitesh ajo ndiqej nga një psikiatër. Po ashtu, ajo ishte e shtruar në psikiatri në Gusht të vitit të kaluar për simptoma të çrregullimit të personalitetit. Nadire Kurti ishte e bindur se bashkëshorti i saj e tradhëtonte me një grua shqiptare ,e cila i kishte kërkuar 90 mijë euro.
“Më keqtrajtonte, më rrihte, më kërkonte që të ikja se do të shiste shtëpinë. Më kishte kërcënuar disa herë se do më vriste e do më bënte copë copë, dhe atë ditë më kërcënoi o do vdisja unë o do vdiste ai”, ka rrëfyer Kurti.
(BalkanWeb)