Vrau dy njerëz në Elbasan. Arrestohet në Greqi vrasësi

0
259

Pas tetë vitesh i shpallur në kërkim, policia shqiptare ne bashkëpunim me atë greke kanë prangosur një 41-vjeçar shqiptar të shpallur në kërkim për një seri akuzash, mes të cilave edhe pjesëmarrja në vrasjen e Sokol Çapjes në Elbasan.
Jorgo Leku akuzohet gjithashtu edhe si ekzekutori i Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan, ngjarje e ndodhur ne gusht të vitit 2012.

Arrestohet në Greqi, Jorgo Leku, i akuzuar nga prokuroria si autori i dy vrasjeve në Elbasan.

Personi i shumëkërkuar është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, pasi më datë 15 gusht 2012, në lagjen “Çlirimi”, Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë me armë zjarri Gentian Beqirin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe të atin e tij Nezir Beqiri.

41- vjeçari i lindur në Elbasan, por me banim në Gjirokastër njihet edhe me emra të tjerë si Olsi Leka, Giorgo Lekou, Jorgo Lekou.

Ai akuzohet edhe si një nga 3 autorët e vrasjes së Sokol Çapjas, ngjarje e ndodhur ne dhjetor 2005 ne lokal ‘Univers’ në Elbasan.

Policia e Shtetit bën me dije se prangosja e tij u bë si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.

Sipas policisë, Jorgo Leku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, më datë 12 qershor të këtij viti i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.