Më 26 maj 1990, Marlene Warren u qëllua për vdekje nga një klloun në derën e saj të përparme – gati 33 vjet më vonë, vrasësi më në fund u gjet dhe u dënua.
Ose më mirë vrasësja. Sepse nën maskën e kllounit ishte Sheila Keen-Warren 59 vjeçe, gruaja e ardhshme e Michael warren, i cili ishte ende i martuar me viktimën në atë kohë.
59-vjeçarja rrëfeu aktin e përgjakshëm të martën pas një çështje gjyqësore gjashtëvjeçare.
Keen-Warren u shfaq me rroba të plota kllouni dhe grim, me tullumbace dhe një buqetë me lule, përpara shtëpisë së Marlene Warren në Palm Beach County (Florida, SHBA).
Warren dhe djali i saj Joseph Ahrens, atëherë 21 vjeç, po hanin mëngjes kur trokiti dera.
Kur Warren hapi derën e përparme, kllouni i tha: “Ti je më e madhja!”
I dha buqetën dhe e qëlloi në fytyrë. 40-vjeçarja gjeti vdekjen e menjëhershme.
Në raportin e policisë së asaj kohe thuhet: “Personi i maskuar si klloun mbante një tufë me lule dhe dy tullumbace. Marlene hapi derën e përparme dhe kur kllouni i ofroi sendet, dëshmitarët dëgjuan një të shtënë dhe Marlene ra në tokë. Personi i veshur si klloun u kthye me qetësi në makinën e tij dhe u largua.”
Çështja mbeti e pazgjidhur për më shumë se dy dekada.
Vetëm 27 vjet pas vrasjes, hetuesit rihapën çështjen dhe mësuan se Keen-Warren ishte martuar me të venë e viktimës, Michael Warren që nga viti 2002.
Në momentin e vrasjes, ajo kishte punuar në dyqanin e tij të makinave të përdorura.
Hetuesit mësuan nga dëshmitarët se çifti i ardhshëm kishte një lidhje në atë kohë.
Marlene Warren me sa duket besonte se burri i saj po e tradhtonte dhe donte të ndahej me të.
Por ajo kishte frikë nga pasojat.
Të afërmit raportuan për gazetën lokale “Palm Beach Post” se Marlene tha në atë kohë: “Nëse më ndodh diçka, është Michael”.
Më në fund, gjurmët e ADN-së i çuan hetuesit në rrugën e duhur.
Ata erdhën nga makina që Keen-Ëarren kishte parkuar në një rrugicë jo shumë larg vendit të krimit.
Policia e lidhi atë me vendin e krimit. Në vitin 2017, Sheila Keen-Warren u arrestua.
Pas gjashtë vitesh seancash të vështira gjyqësore, avokatët më në fund negociuan një zgjidhje.
Keen-Warren pranon fajësinë, por dënimi është vetëm 12 vjet.
Kjo për faktin se ende mungojnë prova të forta, për shembull gjurmët e ADN-së nuk mund të caktoheshin qartë.
Prokurori tha në një deklaratë se marrëveshja e pranuar nga Keen-Warren solli “një masë drejtësie” për Marlene dhe djalin e saj.
Ai shtoi se, “Sheila Keen-Warren do të jetë një vrasëse e dënuar për pjesën tjetër të ditëve të saj.”
Keen-Warren mbrojti pafajësinë e saj deri në fund.