Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë në periferi të lagjes Pontanézen në Rue Général-Paulet.
Një çift shqiptarësh u gjetën të pajetë brenda apartamentit të tyre në katin e katërt të pallatit, në kohën kur fëmijët ishin në shkollë.
Ishin fqinjët që njoftuan policinë rreth orës 15:30 të pasdites së të enjtes pasi dëgjuan të shtënat brenda banesës.
Kur zjarrfikësit hapën derën me forcë, zbuluan dy trupa të pajetë, të 30-vjeçares shqiptare dhe partnerit të saj.
Sipas mediave franceze, 36-vjeçari shqiptar qëlloi fillimisht me pushkë gjuetie dhe më pas vrau veten.
Dy fëmijët e mitur të çiftit u morën nën kujdesin e Shërbimeve të Mirëqenies së Fëmijëve, njoftoi zyra e prokurorit të premten.
Më 23 tetor, nëna raportoi në polici në Brest se ishte dhunuar psikologjikisht nga partneri, duke e përshkruar si “xhelozi patologjike” dhe “kontroll shtrëngues”, “ndërsa përjashtoi çdo dhunë fizike”, sipas prokurorit.
“Ajo kishte shumë frikë prej tij. Ne kishim telefonuar tashmë policinë dhe shërbimet e urgjencës”, tha një fqinj i çiftit për Le Télégramme, duke përmendur abuzimin e përsëritur kundër 30-vjeçares dhe duke konfirmuar xhelozinë ekstreme të bashkëshortit të saj.
Gruaja raportohet se ishte larguar nga shtëpia së bashku fëmijët dhe ndodhej në një strehë emergjence.
Por, ishte shprehur se dëshironte që bashkëshorti i saj të merrte trajtim. Por, 30-vjeçarja duket se ishte kthyer së fundmi në banesë së bashku me fëmijët.


