Vrau Klodian Rashën, Gjykata dënon me 10 vite burg efektivin Nevaldo Hadaraj

0
178

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për të dënuar me dhjetë vjet burg policin Nevaldo Hajdaraj të akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës, ka ngjallur protestën e fortë të babait të viktimës. Qazim Rasha tha se për ngjarjen nuk u vendos drejtësi ndërsa shtoi se djalin e tij e paraqitën si kriminel pasi policia e vrau pranë banesës. Ish-polici i repartit Shqiponja i akuzuar për ngjarjen, përfitoi ulje të dënimit edhe pse prokuroria kishte kërkuar 20 vjet heqje lirie.

Efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj, do të vuajë vetëm dhjetë vite burg për vrasjen e Klodian Rashës në 8 dhjetor te vitit 2020 në zonën e Laprakës.

Ky ishte vendimi i Gjykatës së Tiranës, e cila nga 15 vjet heqje lirie e zbriti dënimin në 10 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

I pranishëm në seancë, Nevaldo Hajdaraj nuk foli para gjykatës por  avokati i tij mbrojtës u kërkoi falje familjarëve të 25-vjeçarit, Klodian Rasha.

Avokati kërkoi edhe ndryshimin e cilësimit të veprës penale nga ‘vrasje me dashje’ në ‘vrasje në tejkalim të mbrojtjes së  nevojshme’, duke kërkuar dënim neë minimum.

Në përfundim, Gjykata shpalli vendimin për ish-efektivin e repartit Shqiponja, por verdikti ngjalli reagimin e familjarëve të 25-vjeçarit të vrarë.

Babai i tij tha se do ti drejtohet shkallëve te tjera të gjyqësorit për të kërkuar drejtësi për djalin të cilin pasi policia e vrau, ia paraqitën në publik si kriminel.

Qazim Rasha: Ju kisha thënë që do vijë momenti që do t’i themi a gjëra. Sot është momenti. Dua t’ju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format.

Falenderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216-të, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet duke thirrur ‘Unë jam Klodiani’. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo.

Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë të ri në rrugicën e shtëpisë së vetë. Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli është veshur me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet.

Mesazhi im është një, fëmija im ik, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve.Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj.

Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar?! Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet.Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush.

Një seancë me parë, Prokuroria e Tiranës kërkoi 20 vite burg për ish-efektivin e policisë.

Klodian Rasha u qëllua nga Nevaldo Hajdaraj me armën e shërbimit gjatë orës policore, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Sipas dëshmisë të autorit, ai e qëlloi pas një ndjekje pasi pikasi një send që Rasha kishte me vete, e që iu duk si armë zjarri, por më pas rezultoi se viktima nuk e kishte pasur një objekt të tillë.

Pranë vendit ku u vra Rasha më vonë u gjet një armë zjarri por nga hetimet nuk u provua se arma ishte e viktimës.

Vrasja solli një valë protestash në Tiranë, që pasuan me dorëheqjen e Sandër Lleshajt nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Fillimisht, efektivi i arrestuar u akuzua për ‘vrasje nga pakujdesia’, ndërsa më pas akuza u klasifikua në ‘vrasje me dashje’.

ota tv