Vrau motrën bashkë me kunatin! Ekstradohet nga Italia Gjovalin Lesi, i dënuar me burgim të përjetshëm

0
2

Gjovalin Lesi, i kërkuar prej 28 vitesh nga drejtësia shqiptare për vrasje të dyfishtë brenda familjes, është ekstraduar sot nga Italia.

56-vjeçari nga Lezha, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 1997 vrau me kallashnikov motrën së bashku me kunatin për motive të dobta.

Lesi u arrestua më 3 prill 2024 në Matera të Italisë falë shkëmbimit të informacioneve mes Interpolit, Policisë së Shtetit dhe asaj Italiane.

Karabinierët publikuan edhe pamjet ku u gjet dhe u arrestua i shumëkërkuari natën e 3 prillit, brenda në banesën e tij.

Prej vitit 2003 ai ishte strehuar në shtetin italian dhe kishte vjedhur identitetin e vëllait të tij me aftësi të kufizuara.

Ishte data 21 tetor 1997, ku Gjovalin Lesi, pas një konflikti në fshatin Rrasfik të Rubikut, vrau me armë zjarri kallashnikov, motrën dhe bashkëshortin e saj.

Gjykata e Mirditës, një vit pas ngjarjes e dënoi me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Pas ngjarjes ai u arratis dhe kërkohej vazhdimisht nga njësia e kërkimit si person i rrezikshëm, por u kap në Itali pas rreth 3 dekadash nga ngjarja makabre.

 

Top Channel