1 gushti do të jetë një datë e shënuar për futbollin shqiptar. Për herë të parë, një futbollist i Kombëtares shqiptare ia ka dalë që të triumfojë në elitën e futbollit italian. Xhakomo Vrioni, pasi debuton me skuadrën e parë të Juventusit, ia del që të shënojë emrin e tij në listën e futbollistëve që do të kenë në karrierë titullin e fituar në Serinë A me bardhezinjtë në sezonin 2019-2020. Djaloshi shqiptar bëhet i pari prej kuqezinjve që arrin një sukses
të tillë.
DEBUTIMI
Në ndeshjen e fundit të kampionatit, Juventusi u fut në fushë vetëm për të pritur fundin dhe për të festuar titullin e nëntë radhazi në Serinë A, si asnjë tjetër në ligat më të forta europiane. E pikërisht, në këtë rekord, ka shkruar emrin e tij edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Xhakomo Vrioni. Në të 79-ën minutë, trajneri Sarri e ka hedhur në fushë. Emocionet dukeshin qartë në fytyrën e djaloshit kuqezi, i cili nisi aventurën e tij me kampionët e Italisë. Debutim në elitën e futbollit italian me bardhezinjtë, teksa i zë vendin sulmuesit argjentinas, Gonzalo Higuain. Pas debutimit me Kombëtaren më 14 tetor 2018 në ndeshjen kundër Izraelit, Vrioni tashmë ka provuar edhe emocionet e një debutimi në elitën e futbollit italian.
TITULLI
Një karrierë e nisur me të rinjtë e Sampdorias po merr trajektoren e duhur, teksa emri i Vrionit është shënuar mes atyre që kanë fituar Serinë A. Xhakomo Vrioni, pasi ka kaluar gjatë rritjes së tij në ekipe si Matelika, Sampdoria, Pistoieze, Venecia e Çitadela, aktualisht si futbollist i Juventus U-23, ka shijuar edhe emocionet e titullit në Serinë A me Ronaldo & Co. Teksa disa ditë më parë triumfoi në Kupën e Italisë për moshën U-23 në Itali me skuadrën U-23 të Juventusit, tashmë djaloshi shqiptar shkruan emrin në historinë e futbollit italian si një prej atyre që kanë arritur të fitojnë titullin kampion.
SHQIPTARËT BARDHEZINJ
Vrioni bëhet i dyti prej kuqezinjve që bashkohet me Juventusin. I pari, Riza Lushta, ka qenë një prej sulmuesve që ka bërë histori me bardhezinjtë në periudhën 1940-1945. Me 46 gola të shënuar në 86 ndeshje, Lushta e ka emrin e tij me germa të arta në historinë e këtij klubi.
OLSI TUJANI