Ushtria ukrainase dhe separatistët të mbështetur nga Rusia akuzojnë njëra-tjetrën për bombardime, ndërsa është raportuar edhe viktima e parë i cili është një ushtar ukrainas. Presidenti Biden ndërkohë vijon të pretendojë se lufta do të nisë së shpejti.
Ushtria ukrainase ka konfirmuar se një ushtar është vrarë të shtunën gjatë përleshjeve me separatistët pro-rusë në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, ndërsa frika për pushtim nga ana e Rusisë rritet.
Forcat qeveritare ukrainase dhe rebelët e mbështetur nga Moska kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardime dhe shkelje të tjera të armëpushimit mbrëmjen e së premtes duke lëshuar alarmin për një pushtim rus.
Si rezultat i bombardimeve të sotme, tubacioni i ujit në Donbas u dëmtua. Edhe në Luhansk u raportuan dëmtime.
Udhëheqësi i rebelëve ukrainas ka shpallur një dekret për mobilizimin e përgjithshëm të rajonit të Donjeckut.
Mijëra civilë janë larguar nga e ashtuquajtura Republika Popullore e Donjeckut, drejt kufirit rus.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden beson se homologu i tij Putin ka vendosur të pushtojë Ukrainën, por shton se ka ende hapësirë për diplomaci për zbutjen e krizës në lindje të Evropës.
Biden: Deri në këtë moment unë jam i bindur se Putin do ta pushtojë Ukrainën. Kemi arsye ta besojmë këtë. Diplomacia është ende një mundësi për zgjidhjen e krizës. Rusia duhet të zgjedhë, mes luftës dhe të gjitha vuajtjeve që ajo do sjellë dhe rrugës diplomatike. Blinken do të takohet me Lavrov në 24 shkurt, por nëse Rusia nis pushtimin më herët, do të thotë që ata e kanë mbyllur zgjidhjen diplomatike. Të gjitha këto që po ndodhin janë në akordim me lojërat e rusëve të cilët edhe më përpara kanë gjetur një pretekst për të vepruar kundër Ukrainës.
Ndërkohë presidenti ukrainas do të udhëtojë të shtunën drejt Mynihut për marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, për të cilën Biden tha se nuk është një zgjedhje e mençur.