Vuçiç mbledh qeverinë: Situata në Ballkan është seriozisht e lëkundur

0
2

Situata në Ballkan është “seriozisht e lëkundur”. Kështu është shprehur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në takimin me kabinetin qeveritar.

Sipas Vuçiç Serbia po “përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”. Po ashtu Vuçiç ka bërë të ditur se në mbledhjen e qeverisë së Serbisë u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, veçanërisht për “sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Diskutuam edhe për të gjitha aspektet e protestës së paralajmëruar më 15 mars”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram pas mbledhjes së Qeverisë. Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se në protestën dhe bllokadën e paralajmëruar nga studentët për 15 mars në Beograd, ai pret që “opozita të organizojë dhunë të madhe”.

Pa dhënë detaje dhe prova për këto pretendime, Vuçiç tha se “të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë protestë, do të arrestohen”.