Një takim i jashtëzakonshëm i vendeve anëtare të NATO-s u zhvillua në Bruksel dy ditë më parë. Tema ndërlidhej me zhvillimet në Ukrainë, dhe hapat që do të ndërmerrte kjo aleancë për ta parandaluar zgjerimin e konfliktit. Pjesëmarrës në këtë Samit ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Shumë detaje rreth asaj se çfarë u tha në takim nuk janë zbardhur. Megjithatë, është dikush që shpalosi më shumë detaje. Madje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e lavdëroi kryeministrin Edi Rama, pasi tha se foli drejtë për Serbinë në këtë samit. Ngjashëm tha se Serbinë e përkrahu edhe kryeministri i Hungarisë, Victor Orban.
Në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, këto deklarata Vuçiq i bëri kur u pyet për iniciativën e Ballkanit të Hapur.
“Besoj se kësaj nisme do t’i bashkohen edhe të tjerë. Kjo na afron më shumë. Në samitin e NATO-s njëri nga njerëzit që foli drejt për neve ishte kryeministri shqiptar Edi Rama, por edhe miku ynë Victor Orban”, deklaroi Vuçiq duke përmendur edhe disa liderë tjerë, që sipas tij ishin korrekt me qëndrimin ndaj Serbisë.
“Ballkani i hapur iu përshtatet të gjithëve. Llogaritni dhe do ta shihni se cila iniciativë është më e përshtatshme. Së bashku mund të bëjmë diçka për të ardhmen, por duhet ta ruajmë paqen dhe stabilitetin”, shtoi Vuçiq.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u kritikua pasi nuk foli pas samitit për anëtarësimin e Kosovës në NATO, ashtu siç bëri presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.
“Rajoni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është më i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën. “Kam propozuar që Kosova të integrohet, që më në fund të bëhet një shtet i plotë”, deklaroi Milanoviq.
Komenti për protestat e serbëve në Kosovë
Presidenti i Serbisë në këtë intervistë protestat e serbëve në Graçanicë dhe në veriun e Mitrovicës, i vlerësoi se kanë qenë më të mëdhatë viteve të fundit nga serbët e Kosovës.
Vuçiq vazhdoi me gjuhën e tij kërcënuese, duke thënë se “nëse serbët do të bënin organizimin e zgjedhjeve, policia do të qëllonte mbi ta”.
“Më e rëndësishmja është të shmangim konfliktet, por nuk na shkon as mendja ta njohim pavarësinë e një shteti të rrejshëm. Serbët nga Kosova do të votojnë në Serbi. Që nga viti 2008, shqiptarët kanë në dorë gjithçka”, deklaroi Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb vlerësoi se Kosova kishte planifikuar edhe shkarkimin e komandantëve të policisë, që kishin marrë pjesë në takim me të disa ditë më parë. Por tha se kjo nuk ndodhi, shkaku i presioneve nga Beogradi por edhe ndërkombëtarët.
“Vendet e QUINT-it e dinin se serbët do të largoheshin nga të gjitha institucionet nëse komandantët do të shkarkoheshin. Nëse serbët largohen nga institucionet, unë pyes vetën se çfarë do të ndodhë më pas”, shtoi tutje Vuçiq.
Samiti i NATO-s u zhvillua në Bruksel, e ku mori pjesë edhe presidenti amerikan, Joe Biden