WhatsApp gjobitet me 225 mln euro nga autoritetet irlandeze

0
135

WhatsApp është gjobitur me 225 milionë euro nga Garantuesi i Privatësisë Irlandeze. Gjoba vjen pas një hetimi mbi transparencën të aplikacionit të mesazheve, në pronësi të Facebook, që lidhet me ndarjen e të dhënave personale të përdoruesve me shoqëri të tjera të kolosit të teknologjisë të Menlo Park.

Sipas autoritetit irlandez, WhatsApp nuk i ka njoftuar përdoruesit për shkëmbimin e të dhënave personale që ndodh mes aplikacioneve dhe kompanive të tjera të Facebook, duke shkelur dispozitat europiane mbi mbrojtjen e të dhënave të vitit 2018 të sanksionuara nga GDPR (rregullorja e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale të Bashkimit Europian).

Për këtë arsye, Garantuesi vendosi që WhatsApp duhet të paguajë një gjobë prej 225 milionë eurosh dhe të marrë masat e duhura për të zgjidhur problemin, në përputhje me rregullat e GDPR. Zëdhënësi i aplikacionit e kundërshtoi vendimin – shkruan Reuters – duke e cilësuar gjobën “tërësisht shproporcionale” dhe duke njoftuar se do ta apelojnë vendimin.

Vendimi i marrë nga Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC) vjen pas shumë kritikave për mosveprimin ndaj gjigantëve të teknologjisë. Në prill të vitit të kaluar, Qendra Europiane për të Drejtat Dixhitale (NOYB – European Center for Digital Rights) raportoi se në një vit, vetëm për 7 nga 10 mijë ankesa, të paraqitura te Garantuesi Irlandez, ishte marrë një vendim.

Ndërkohë gjithë të tjerat, përfundonin në arkiva. Hetimi mbi WhatsApp, që çoi në gjobën prej 225 milionë eurosh, nisi në 2018 dhe vendimi erdhi vetëm pas një kujtese të bërë në korrik të vitit të kaluar nga Këshilli Europian për Mbrojtjen e të Dhënave.

/Wired