Yndyrnat e Tepërta në Gjak Dëmtojnë Organet – Kujdesi që ju Duhet

0
36

Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org ka nxjerrë në pah dëmtimet që shkakton inflamacioni në organizëm. Ndër këto probleme mund të përmenden: obeziteti, diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

Inflamacioni shkaktohet nga një infeksion.

Kur trupi percepton praninë e mikro-organizmave të rrezikshëm, siç janë bakteret, atëherë ai aktivizon një reagim imunitar.

Inflamacioni është një pjesë kyçe e këtij reagimi natyral.

Megjithatë, ka raste që inflamacioni ndodh për arsye të tjera përveç infeksionit.

Nëse ai nis të shfaqet më tepër seç duhet atëherë i hap rrugën shumë dëmtimeve të tjera, kryesisht atyre të organeve.

Trigliceridet Dhe Dëmtimet Në Organe

Sipas një studimi të cilit i referohet AgroWeb.org, niveli i lartë i yndyrnave në gjak mund të tjetërsojë disa procese biologjike në trup, duke i hapur kështu rrugën dëmtimit të enëve të gjakut dhe organeve.

Sipas ekspertëve, niveli i lartë i triglicerideve është përgjegjës për inflamacionin  por jo vetëm.

Një proteinë e cila është pjesë e triglicerideve por që në të njëjtën kohë çlirohet nga mëlçia është ajo që aktivizon inflamacionin në trup.

Përveç inflamacionit, kjo proteinë kontribuon në shfaqjen e sëmundjes së veshkave por edhe të problemeve me zemrën.

Niveli i lartë i kësaj proteinë në gjak, ka gjithashtu lidhje me vdekjen e parakohshme.

Shpjegimi është i thjeshtë:

Yndyrnat në gjak shkaktojnë inflamacion, që nëse bëhet kronik, mund të dëmtojë veshkat dhe të shkaktojë aterosklerozë. Kjo e fundit ka të bëjë me ngushtimin e enëve të gjakut si pasojë e depozitave dhjamore. Ateroskleroza është shkaktarja kryesore e atakut në zemër dhe ishemisë.

Niveli i triglicerideve është zakonisht i lartë  tek njerëzit që konsumojnë ushqime të yndyrshme. Nëse situata vazhdon me të njëjtat ritme, trigliceridet përfitojnë veti toksike që aktivizojnë imunitetin të kryejë disa procese vetë-shkatërruese dhe të dëmshme për organet dhe për shëndetin në përgjithësi.

 

Cilat Ushqime Rrisin Nivelin e Triglicerideve?

Ju mund të provoni të ulni trigliceridet tuaja duke evituar konsumimin e ushqimeve që ndikojnë në rritjen e tyre.

Sheqeri

Sheqeri në formën e fruktozës, është shumë i lehtë që të tejkalohet doza e nevojitur ditore e tij.

Duke qenë se fruktoza gjendet më së shumti tek frutat dhe shtohet tek shumë produkte si një ëmbëlsues, personat që vuajnë nga trigliceridet duhet të kufizojnë konsumin e tyre

Ndërsa produkte si akulloret, lëngjet e frutave, pekmezi, reçeli, apo kompostot duhet t’i evitoni.

Yndyrnat

Yndyrnat e ngopura zakonisht gjenden tek ushqimet e skuqura, tek mishi i kuq, tek lëkura e pulës, gjalpi, të verdhat e vezëve. Po ashtu tek margarina, bulmeti dhe tek produktet e fast-food.

Të gjithë personat që vuajnë nga nivelet e larta të triglicerideve, duhet që t’i shmangin këto ushqime sa më shumë të munden.  Në vend të mishit të kuq apo pulës së plotë, përdorni peshk apo pjesë pa shumë yndyrë të pulës.

Drithërat e përpunuar ose ushqimet me përmbajtje niseshteje

Drithërat e përpunuara kanë përmbajtje të lartë sheqernash të shtuara, dhe zakonisht përgatiten nga mielli i bardhë, i cili ngre nivelet e triglicerideve.

Këshillohet që të qëndroni larg produkteve të bukës së bardhë, makaronave të përgatitura me miell të tillë apo dhe picave, ëmbëlsirave, biskotave apo tortave.

Alkooli

Konsumimi i tepërt i alkoolit përveçse dëmton mëlçinë, nxit atë që të prodhojë më shumë trigiliceride.

Ushqime kalorike

Kaloritë ndryshojnë sipas moshës, gjinisë, gjatësisë dhe peshës së gjithësecilit.

Prandaj është shumë e rëndësishme që të konsumohet sasia e duhur.

Nëse e tejkaloni limitin tuaj të kalorive ditore ju mund të rrezikoni që të rrisni nivelet e triglicerideve duke shkaktuar probleme në organizmin tuaj./AgroWeb.org