Mungesa e prodhimit vendas, dëmet e krijuara nga përmbytjet dhe varësia nga importet kanë vënë konsumatorët në të gjithë vendin përballë çmimeve të papërballueshme dhe shumë më të larta se vitin e kaluar, kryesisht për zarzavatet gjatë këtij muaji.
Produktet e serrës si specat 400 lekë/kg në pakicë, spinaqi me 300 lekë dhe patëllxhanët e importit me 400 lekë/kg po shndërrohen në artikuj luksi, duke detyruar familjet me të ardhura të ulëta të orientojnë konsumin drejt alternativave më të lira.
Një vëzhgim i detajuar i çmimeve me shumicë nga Portali i Fermerit dhe të dhënat nga tregjet e pakicës, tregojnë për marzh të lartë spekulimi që kalon edhe 100% të vlerës së produktit nga pikat e pakicës në Fier, Divjakë dhe Lushnjë deri në tregjet e pakicës në kryeqytet.
Situata është edhe më e vështirë në qarqet më periferike dhe me popullsi të plakur si Gjirokastra, ku çmimet e zarzavateve aktualisht janë më të shtrenjtat në të gjithë vendin.
Gëzimi me përvojë gati 30-vjeçare, si shitës me pakicë frutash dhe perimesh tek Uzina Dinamo në Tiranë, pohon se për disa prodhime si spinaqi, patëllxhani, kungulli, brokoli, çmimet janë më të larta se vitin e kaluar në këtë periudhë. “Spinaqi dhe brokoli i vendit u dëmtuan nga përmbytjet dhe ngricat e dimrit, ndërsa kungulli, patëllxhani, domatet, karotat dhe shumë të tjera po vijnë nga importi me çmime më të larta”, pohoi tregtari.
Prodhimi vendas po humbet terren me shpejtësi përballë importit. Raftet e marketeve dhe tezgave ndajnë hapësirën në favor të importeve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2025, sasia e zarzavateve të importuara u rrit me 14% në krahasim me 2024, ndërsa në harkun e 5 viteve janë dyfishuar.
Domatja e serrës dhe trangujt importohen me rreth 194-220 lekë për kg, teksa fermeri vendas, që shpesh e shet domaten me 130 lekë në shumicë, nuk ka fuqi të konkurrojë me qëndrueshmërinë dhe standardizimin e produkteve të huaja.
Frutat po ndjekin të njëjtin trend ku dardha dhe hurma me çmim shumice 210 lekë dominojnë raftet, ndërsa prodhimi vendas mbetet i fragmentuar dhe pa mbështetje logjistike.
Kjo varësi nga jashtë dhe keqfunksionimi i zinxhirëve të furnizimit po ekspozon qytetarët e Tiranës ndaj çmimeve më të larta, duke paguar më shtrenjtë se në shumë kryeqytete të rajonit.


