Policia ka zbardhur dinamikën e atentatit të ndodhur mbrëmjen e 1 shkurtit, rreth orës 21:00 në fshatin Rrilë, të Lezhës, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanes.
Pas hetimeve, policia ka ndaluar efektivin 24-vjeçar Besart Kovaçi, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas hetimeve, Besart Kovaçi ndodhej brenda berberhanes në momentin e atentatit dhe ka deklaruar se ka qëlluar me armë në drejtim të autorëve për të parandaluar pasoja fatale.
Por nga këqyrja e vendngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja pistolete, ku 5 janë gjetur në krehër dhe 10 të qëlluara, të cilat dyshohet se i përkasin armës së përdorur nga punonjësi i policisë.
Një gëzhojë tjetër ndërkohë ka ngritur dyshime për përdorimin e një arme të dytë nga brenda ambientit, duke forcuar pistën e një përplasjeje të armatosur.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar dy automjete, një “Audi” dhe një “Passat”, të cilat ndalojnë pranë sallonit, prej nga zbresin 7 persona, dy prej të cilëve me kallashnikov.
Në drejtim të berberhanes janë qëlluar mbi 30 plumba, tre prej të cilëve kanë plagosur 30-vjeçarin Sokol Daci.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në këtë ngjarje dyshohet të jenë përfshirë dhe janë shpallur në kërkim: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka, Kevin Ndoka dhe Merando Nikulaj.
Burime bëjnë me dije se Sokol Daci nuk ka qenë shënjestra e atentatit, ndërsa dyshohet se objektivi ka qenë Merando Nikulaj, nipi i Ardian Nikulajt, i ekzekutuar në vitin 2023.
Merando Nikulaj shfaqet në pamjet filmike duke u larguar me vështirësi, çka ka ngritur dyshime se mund të jetë plagosur.
Merando Nikulaj ka pasur më herët konflikte me pjesëtarë të fisit Ndoka. Gjatë verës, ai dhe një kushëri i tij janë përfshirë në një përplasje pranë zonës së plazhit, ku familjet kanë edhe aktivitet hotelier.
Në atë ngjarje dy të rinj të familjes Nikulaj dyshohet se kanë përplasur me motor dy të rinj të fisit Ndoka, duke çuar më pas në një konflikt fizik, ku janë përdorur shkopinj bejsbolli dhe sende të forta.
Lidhur me këtë ngjarje, Merando Nikulaj është çuar në gjyq, çështje e cila konsiderohet nga hetuesit si një nga pistat kryesore për zbardhjen e atentatit të ndodhur në Rrilë.


