Zbardhet pas gjashtë muajsh vrasja e ish-policit shqiptar në Itali, arrestohet fqinji/ Kamerat e sigurisë e nxorën zbuluar, si e thuri të gjithë krimin

0
2

Pas gjashtë muajsh hetimesh, autoritetet italiane kanë zbardhur vrasjen e Fatos Cenajt, shqiptarit 58-vjeçar që u ekzekutua me një plumb në kokë më 8 qershor në Fontanaviva, provinca e Padovës.

Trupi i viktimës, ish-roje burgu, u gjet në një rrugë rurale, vetëm disa qindra metra larg banesës ku jetonte me familjen e tij.

Të shtunën, më 13 dhjetor, karabinierët arrestuan fqinjin e tij, Moreno Violetto, 45 vjeç, punëtor vendas, i cili akuzohet për vrasje. Arrestimi erdhi pas një hetimi të detajuar të Policisë së Padovës, në bashkëpunim me karabinierët e Cittadella-s dhe njësinë speciale RIS të Parmës.

Hetuesit arritën të identifikonin autorin e dyshuar përmes pamjeve filmike. Në video shihej një çiklist i vetëm, i veshur në mënyrë të pazakontë për një ditë vere: me helmetë, syze dielli, maskë respiratore dhe mëngë që imitonin tatuazhe në të dy krahët.

Sipas hetimeve, 45-vjeçari kishte blerë gjithashtu bojë për të ndryshuar ngjyrën e biçikletës së tij, si dhe materiale për prodhimin artizanal të armëve të zjarrit dhe municioneve.

Gjatë një kontrolli të kryer në korrik, autoritetet sekuestruan biçikletën, ndërsa në një magazinë pranë banesës së të dyshuarit u gjetën plumba të prodhuar në shtëpi, disa prej të cilëve ishin përdorur më parë për prova.

Ekspertët e RIS konfirmuan përputhshmërinë mes mbetjeve të armës që goditi Cenajn dhe gjurmëve të gjetura në biçikletën e të dyshuarit.

Fatos Cenaj kishte shërbyer më parë në policinë e burgjeve në Shqipëri dhe ishte transferuar në Itali për t’u bashkuar me familjen e tij, e cila kishte blerë një shtëpi në Fontanaviva.

E kaluara e tij konsiderohej e pastër, ndërsa marrëdhëniet me fqinjin përshkruheshin si të tensionuara, por të kufizuara në debate të vogla.

45-vjeçari nga Padova ndodhet tashmë në burgun “Due Palazzi”, ku përballet me akuzën e vrasjes së rëndë.