Zbulimi i arsenalit të armëve në Tiranë, Proda: Denonconi çdo rast që cenon sigurinë publike

0
2

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, përshëndeti finalizimin e operacionit policor të koduar “The Van” nga Policia e Tiranës, ku u zbulua dhe u godit një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.

Proda falënderoi drejtuesit dhe strukturat e DVP Tiranë për finalizimin me sukses të operacionit, si dhe për punën shumë të mirë dhe profesionale në drejtim të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve që mund të përdoreshin për kryerjen e krimeve kundër jetës dhe pronës.

“Ky është një tjetër operacion i suksesshëm që tregon profesionalizmin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të goditur krimin dhe garantuar sigurinë e qytetarëve. Armët prodhojnë krim, çdo armë e paligjshme është një rrezik real për jetën e qytetarëve dhe për rendin publik.

Falënderoj drejtuesit e DVP Tiranë dhe të gjithë efektivët që punuan me përkushtim dhe profesionalizëm duke bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale që do të kryheshin me këtë arsenal armësh”, tha Proda.

Proda shtoi se Policia e Shtetit nuk do të ndalet asnjë ditë në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve, pasi çdo armë e paligjshme është një potencial për krim.

“Iu bëj thirrje qytetarëve që të mbështesin punën e Policisë së Shtetit, duke bashkëpunuar dhe duke denoncuar çdo rast që cenon rendin dhe sigurinë publike”, tha Proda.

Sipas Prodës çdo informacion që ndihmon policinë për parandalimin apo goditjen e krimeve është një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë e përbashkët.

“Vetëm përmes bashkëpunimit të ndershëm dhe besimit të ndërsjellë mes Policisë dhe qytetarëve mund të ndërtojmë një mjedis akoma e më të sigurtë për të gjithë”, theksoi Proda.

Gjatë operacionit “The Van” u sekuestruan 23 armë zjarri (prej të cilave 5 snajperë), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.