Zbulimi i atraksioneve turistike dhe zhvillim i turizmit/ Bashkia Klos bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut

0
227

Në kuadër të projektit ndërkufitar “Zbulimi i atraksioneve turistike”, ku bashkia Klos është një ndër përfitueset e projektit, që do zbatohet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, u zhvillua takimi i radhës këtë herë në ambientet e bashkisë Klos.

“Patëm nderin të kishim prezent delegacionin e bashkisë së Demir Hisar të Maqedonisë së Veriut me Kryetarin, Marjance Stojanovski si dhe përfaqësues të organizatave partnere FLAG dhe Art Point Gungo”, njofton bashkia Klos.

Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të projektit, i cili është në fazën e nisjes së ndërtimit të muzeut, si dhe u përcaktua plani i punës për periudhën në vijim.

Projekti ka si qëllim zbulimin e atraksioneve turistike në dy vendet fqinje, duke bërë të mundur zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në Klos do investohet në ndërtimin e muzeut etnografik, përmirësimin e infrastrukturës turistike në zonën e Balgjaj, Ura e Vashës e zona të tjera potenciale, si dhe në mbështetjen e promovimin e ofruesve të produkteve lokale.

Projekti financohet nga Bashkimi Europian, në kuadër të programit ndërkufitar 2014-2020 midis Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut. /a.a//r.e/